Shënimet dhe Vendimet nga Takimi i Parë i Task Forcës së Ujërave (TFU)

20 tetor 2009

Pjesëmarrës:


- Zëvendës Kryeministri Hajredin Kuqi, Kryesues
- Emin Krasniqi, Zëvendës Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
- Raif Elezi, Zëvendës Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal
- Arben Çitaku, Sekretar i Përhershëm, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
- Hazir Çadraku, Udhëheqës i Divizionit për Politika Ujore, MMPH
- Ramadan Sejdiu, Udhëheqës i Njësisë për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike,  Ministria e Ekonomisë dhe Financave
- Guido Beltrani, Zëvendës Drejtor, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim
- Hajrije Morina, Zyrtare, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim
- Iva Stamenova, Task Menaxhere, Mjedis dhe Bujqësi, Komisioni Evropian
- Driton Qehaja, Koordinator i Task Forcës
- Skënder Agolli, Këshilltar për Ndërmarrje Ujore, Task Forca e Ujërave
- Baton Begolli, Këshilltar për Politika Ujore, Task Forca e Ujërave

Zv. Kryeministri Kuqi hapi takimin dhe u shpreh për përkrahje institucionale dhe politike për sektorin e ujërave si dhe ftoi për bashkëpunim të gjitha institucionet dhe Ministritë anëtare të Task Forcës së Ujërave, me qëllim të arritjes së zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit.

Zv. Kryeministri Kuqi falënderoi Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në përkrahjen e kësaj iniciative dhe për ndihmën e deritanishme për sektorin e ujërave.

Zotëri Guido Beltrani nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim mirëpriti takimin e parë të Task Forcës së Ujërave dhe shprehu besimin se ky forum do të ndihmojë në përfshirjen e ujërave në politikat zhvillimore.

Këshilltari për Politika Ujore, Baton Begolli, prezantoi shkurtimisht mbi sektorin e ujërave në Kosovë, sfidat dhe rolin e Këshilltarëve dhe Task Forcës kundrejt këtyre sfidave.

Më pas z. Begolli prezantoi mbi pikën 5 të agjendës, pas së cilave u morën këto vendime:

5.1 Strategjia e Ujërave

Pjesëmarrësit u njoftuan se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është përgjegjëse dhe bartëse e përpilimit të Strategjisë së Ujërave, si dhe për nevojën për përkrahje institucionale nga gjitha dikasteret. Po ashtu u njoftuan se 3 donatorë kanë shpreh gatishmëri për përkrahje të këtij dokumenti, porse ka nevojë të qartësohet se çfarë do të jetë përmbajtja si dhe domosdoshmëria për koordinimin e përkrahjes në këtë detyrë.

U vendos që:

1.Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të formojë një grup punues për propozimin e përmbajtjes së Strategjisë Kombëtare për Ujëra, në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat relevante.
2.MMPH dhe Këshilltari i Politikave Ujore i TFU-së të organizojë një takim koordinues me donatorët e interesuar dhe të përgatitë një plan të implementimit.

5.2 Zotimi për vazhdimin e qasjes së menaxhimit regjional të ndërmarrjeve ujore

Pjesëmarrësit u njoftuan se përkundër ligjit në fuqi disa komuna sfidojnë procesin e rajonalizimit të ndërmarrjeve për ujëra, siç është rasti i Deçanit dhe Kaçanikut. Po ashtu, pjesëmarrësit u ftuan që të reflektojnë mbi implikimet e tilla me komunat me shumicë Serbe, si dhe komunat e reja që dalin nga procesi i decentralizimit.

Zv. Kryeministri Kuqi kërkoi që fillimisht Ministria e Ekonomisë dhe Financave, në bashkëpunim me Ministrin për Administrimin e Pushtetit Lokal të vendosin komunikim me komunat përkatëse para marrjes së ndonjë vendimi.

U vendos që:

1.Të themelohet një Grup Punues, i drejtuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, dhe i mbështetur nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që do të duhej të merret me çështjet në vijim:
a.Kthimi i kompanive ujore të Deçanit dhe të Kaçanikut te kompanitë rajonale ujore Hidrodrini dhe Bifurkacioni, respektivisht,
b.Korporatizimi dhe licencimi i shërbimeve ujore në komunat me shumicë Serbe, si dhe pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.
c.Integrimi dhe korporatizmi i shërbimeve ujore në komunat e reja që dalin nga procesi i decentralizimit.
d.Amandamentimin e Ligjit Nr. 03/L-087 mbi Ndërmarrjet Publike, si pasojë e ndryshimeve më lartë.

2.Të dërgohet një letër (vendim) nga Zyra e Kryeministrit që kërkon përkushtim ndaj procesit të korporatizimit (drafti i bashkangjitur)

5.3 Statusi Konsultativ i Kosovës pranë Komisionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Lumit Danub
Pjesëmarrësit u njoftuan se është vendosur komunikimi me Sekretariatin e Komisionit Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Lumit Danub me ç’rast na është ofruar mundësia e fitimit të statusit konsultativ për Kosovën. Kjo do hapte mundësi të përfitimit të ndihmave për pellgjet e lumenjve Ibër dhe Morava e Binçës, në emër të mbrojtës së lumit Danub si dhe përfitimin nga përvojat në administrimin e lumenjve ndërkufitar. Ministria e Mjedisit ka dominuar 5 anëtar për 5 grupet e ekspertëve pranë këtij Komisioni.

U vendos që:

Këshilltari për Politika Ujore të komunikojë me Ministrinë e Punëve të Jashtme për të qartësuar procedurat si dhe për t’u siguruar në përfitim të anëtarësimit në të ardhmen.

5.4 Konferenca e Ujërave 2009
Pjesëmarrësit u njoftuan për traditën e mbajtjes së konferencave ujore nga 1999 – 2004 si dhe për interesin e riaktivizimit të kësaj tradite. U kërkua nga pjesëmarrësi i MEF-it që kjo mos të dyfishojë ditët e shërbimit të ujit që organizohen çdo vit, me ç’rast u shpjegua se ndërsa konferenca ka për qëllim identifikimin e rekomandimeve për vendim-marrje nga Task Forca, ditët e shërbimit të ujit janë më tepër për efekt të vetëdijesim të qytetarëve. Megjithatë, u propozua që të ketë sinergji në mes të këtyre dy ngjarjeve në të ardhmen.

U vendos që:

1.Këshilltari për Politika Ujore të përgatis qëllimin, konceptin dhe listën e pjesëmarrësve të konferencës.
2.Konferenca ujore 2009 të mbahet rreth datës 15 Dhjetor 2009 nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit, dhe të përkrahet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (Përkrahja e Task Forcës së Ujërave).
3.Rekomandimet e konferencës të prezantohen një javë pas konferencës, në takimin e Task Forcës të dedikuar vetëm për këtë.
4.Konferenca Ujore të mbahet në baza vjetore.

Takimi i ardhshëm i Task Forcës së Ujërave të mbahet nga mesi i Dhjetorit 2009

Sipas nenit 160 të Kushtetutës mbi Pronësinë e Ndërmarrjeve Publike në Republikën e Kosovës, si dhe në pajtim me nenin 1 të Ligjit për Ndërmarrje Publike mbi kornizën ligjore për pronësinë e Ndërmarrjeve Publike dhe për qeverisjen e tyre korporatave, Qeveria e Republikës së Kosovës merr këtë 

VENDIM (Draft)

1.Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të mbështesë korporatizimin e shtatë kompanive rajonale për ujëra, duke pranuar mundësinë e konsolidimit të mëtejshëm, varësisht nga kërkesa e tregut dhe parimin e menaxhimit e resurseve ujore mbi konceptin e rajoneve të pellgjeve lumore. 2.Njësia Operative e Ujësjellësit të Deçanit duhet të kthehet nën menaxhimin e kompanisë rajonale të ujësjellësit, Hidrodrini Sh.A, Pejë.
3.Njësia Operative e Ujësjellësit të Kaçanikut duhet të kthehet nën menaxhimin e kompanisë rajonale të ujësjelllësit, Bifurkacioni Sh.A, Ferizaj.
4.Kompanitë ujore në pjesën veriore të Kosovës duhet të konsolidohen dhe licencohen nga Zyra Rregullative për Ujëra dhe Mbeturina.
5.Komunat e tjera me shumicë nga minoritetet, që ekzistojnë apo të krijuara pas procesit të decentralizimit, do të konsolidohen me kompanitë e licencuara Rajonale.
6.Të gjitha komunat tjera, të dala nga procesi i decentralizimit do të përfshihen brenda Kompanisë së korporatizuar, të licencuara për operim në rajonin përkatës.
7.Kompanitë Rajonale të Ujërave obligohen të sigurojnë trajtim të barabartë në gjitha komunat brenda rajonit në të cilin janë të licencuar për ofrim të shërbimeve. Shpërndarja e investimeve (në infrastrukturën e re apo në mirëmbajtjen e infrastrukturës ekzistuese) në mes të komunave brenda zonës operative do të bëhet duke u bazuar në kritere transparente.