Shënimet dhe Vendimet nga Takimi i Tetë i Task Forcës së Ujërave (TFU)

Data: 06.12.2012

Pjesëmarrës:
· Mimoza Kusari-Lila, Zëvendëskryeministre, Kryesuese e TFU
· Shpëtim Rudi, Zëvendësministër, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
· Gani Koci, Zëvendësministër,  Ministria e Zhvillimit Ekonomik
· Christoph Lang, zv. Drejtor, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (SCO)
· Ardiana Efendija-Zhuri, Menaxhere e Programit, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim
· Gazmend Selimi, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë
· Baton Begolli, Këshilltar për Politika Ujore (KPA), Task Forca e Ujërave
· Afrim Lajçi, Këshilltar për Shërbime të Ujit (KSHU), Task Forca e Ujërave

 

Vëzhgues:
· Florent Bakija, Këshilltar, Kabineti i zv. Kryeministres Kusari-Lila
· Hazir Çadraku, Udhëheqës, Njësia për Politika Ujore, Departamentit i Ujërave, MMPH

 

· Mirëseardhje nga Kryesuesi
Zëvendëskryeministrja Kusari Lila uroj mirëseardhjen te gjithë te pranishmëve. Ajo ceki se është hera e parë si udhëheqëse e takimit të TFU-së, dhe theksoi se është hera e tretë që ndërrohet kryesuesi, e që mund të shihet si mungesë e konsistencës por megjithatë ka pasur vazhdimësi dhe qëndrueshmëri në punën e Task Forcës së Ujërave. Zëvendëskryeministrja theksoi se Qeveria nuk do ta kishte formuar një entitet që do ta kishte duplifikuar punën e ndonjë institucioni tjetër, prandaj inkurajoi për qasje konstruktive. Po ashtu falënderoi donatorët të cilët janë treguar shumë zemërgjerë dhe e kanë mbështetur TFU-në që nga viti 2009 dhe vazhdojnë ta mbështesin.


Zëvendëskryeministrja Kusari Lila u zotua që do të mundohet t’i  shtyjë përpara vendimet e TFU-së, dhe kërkoi nga të gjithë që të kenë një qasje të orientimit përpara. Me pas ajo propozoi që të aprovohet agjenda e takimit. Zëvendësministri Rudi kërkoi që pikat 3 dhe 4 të mos diskutohen, me arsyetimin se këto janë pjesë e kompetencave të MMPH-së.


Zëvendëskryeministrja theksoi se TFU është themeluar me një vendim të Qeverisë dhe MMPH nuk mund të thotë që TFU kundërshton rolin e saj. Pika 3 (aprovimi i Dokumentit të Politikave Ujore) mund të shtyhet, derisa Kryesuesja të takohet me Ministrin Gashi (MMPH), dhe te gjejnë një zgjidhje pastaj ta shqyrtojnë në takimin e radhës. Ndërsa për piken 4 (Roli i TFU-se në realizimin e projekteve ndër-ministrore) theksoi se nuk sheh ndonjë arsye për të mos e diskutuar, dhe vendosi që kjo pikë të mbetet në rend të ditës.


· Pika 2 e rendit të ditës - Përkrahja e Task Forcës së Ujërave 2013+ (nga Christoph Lang, zv. Drejtor, SCO)
Zotëri Lang prezantoi të gjeturat e vlerësimit të Task Forcës së Ujërave dhe theksoi se puna e TFU-së është treguar e suksesshme nga aspekti i rëndësisë, efektivitetit, efikasiteti, qëndrueshmërisë dhe ndikimit. Ankorimi i TFU-së pranë Zyrës së Kryeministri dhe plani i transformimit në Këshillin Ndër-Ministror për Ujëra janë vlerësuar si vendimtare. Task Forca e ujërave ka arritur objektiva shumë të mëdha siç janë caktimi i ujërave si prioritet, vendimi i konsolidimit, qartësimi i rolit të komunave, dokumenti për politikat ujore, databaza e projekteve të ujit, platformat koordinuese, etj. Si e tillë, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim ka vendosur të vazhdojë përkrahjen e TFU-së dhe më pas Këshillit Ndër-Ministror për Ujëra fillimisht me një fazë të përkohshme e më pastaj edhe 2 vite të tjera.


· Pika 3 e rendit të ditës - Aprovimi i dokumentit të politikave ujore (propozim nga Baton Begolli, këshilltar për politika ujore)
Kjo pikë do të trajtohet në një takim të posaçëm pasi që zv. Kryeministrja ta shqyrtojë dokumentin me Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Por u theksua se dokumenti është i domosdoshëm për Qeverinë dhe se trajton mbarë sektorin e ujërave (jo vetëm resurset) nga të gjitha këndvështrimet.


· Pika 4 e rendit të ditës - Roli i Task Forcës së Ujërave në realizimin e projekteve ndër-ministrore – diskutim i hapur (prezantim nga Baton Begolli, këshilltar për politika ujore)
Këshilltari Begolli prezantoi përgjegjësitë institucionale në sektorin e ujërave dhe ilustroi se ujërat janë në fakt të trajtuar nga shumë institucione në çështje të ndryshme. Korniza legjislative dhe institucionale është e qartë, megjithatë ka tentativa dhe raste ku institucionet ndërhyjnë në kompetenca të institucioneve tjera. U theksua se MMPH është përgjegjëse dhe bartës në projektet mbi resurset ujore, ndërsa MZHE për projektet mbi shërbimet ujore (ujë të pijes dhe ujëra të zeza). TFU duhet të inkuadrohet më herët në konceptualizimin e këtyre projekteve ndërministrore me qëllim të sigurisë së ndarjes së përgjegjësive sipas  kompetencave institucionale. Këto pika  u vendosën për vendimmarrje:


· Alokimi i buxhetit për organizatat buxhetore nga Ministria e Financave duhet bërë sipas përgjegjësive institucionale. Projektet për rehabilitimin e lumenjve dhe zhvillimin e resurseve bëhen përmes Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Gjitha projektet për ujëra të pijes dhe ujëra të zeza bëhen përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.


· Task Forca e Ujërave duhet të kyçet dhe të koordinojë apo përkrahë gjitha projektet ndër-ministrore, në mënyrë që të sigurojë qëndrueshmërinë e projekteve.


· Donatorët po ashtu duhet të kenë parasysh akterët për bashkë-financim apo përfitues sipas përgjegjësive institucionale. Zyra Zvicerane për Bashkëpunim obligohet të njoftojë komunitetin e donatorëve për pikat 2 dhe 3.
Diskutimet në këtë pikë të rendit të ditës:
Zv. Kryeministrja theksoi se institucionet duhet të veprojnë në kuadër të përgjegjësive ligjore që kanë dhe ndërhyrjet të tilla nuk duhet lejuar sidomos në nivel institucional.


Znj. Efendija-Zhuri tregoi që një prej institucioneve kyçe që SCO ka përkrah është TFU (ZKM), që nga viti 2009, dhe që atëherë në çdo takim koordinues që mbahet me donatorë, është ngritur besimi tek ta. Ajo theksoi se në takimin e radhës së donatorëve do t’i njoftojë për mos-përzierje të përgjegjësive. zv. Kryeministrja theksoi se problemi po vërehet në nivelin institucional dhe jo nga donatorët, të cilët më tepër i përgjigjën kërkesave.


Zv. Ministri Koci shtoi se megjithëse përgjegjësitë janë të ndara ka pas raste kur janë përzier kompetencat, sidomos nga niveli lokal, p.sh komunat ndaj Kompanive Regjionale të Ujësjellësve.
U vendos që:
 - Alokimi i buxhetit për organizatat buxhetore nga Ministria e Financave duhet bërë sipas përgjegjësive institucionale.
 - Task Forca e Ujërave duhet të kyçet më herët në konceptualizimin e projekteve ndërministrore dhe të koordinojë apo përkrahë gjitha projektet ndër-ministrore, në mënyrë që të sigurojë mos përzierje kompetencash dhe qëndrueshmërinë e projekteve.
 - Donatorët duhet të kenë parasysh përgjegjësitë institucionale të përfituesve dhe partnerëve institucional për bashkë-financim të projekteve 
 - Zyra Zvicerane për Bashkëpunim obligohet të njoftojë komunitetin e donatorëve për pikat 2 dhe 3.


· Pika 5 e rendit të ditës – Rreziku nga fragmentimi i kompanive rajonale të ujësjellësve (prezantim nga Afrim Lajçi, këshilltar për shërbime ujore TFU)
Këshilltari Lajçi fillimisht sqaroi se, Këshilltarët e TFU e kanë propozuar këtë pikë në agjendën e takimit të sotëm sepse konsiderojnë se është me rëndësi fundamentale për qëndrueshmërinë afatgjatë që të ruhet struktura regjionale e kompanive që ofrojnë shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, duke qenë në pajtim me praktikat e mira ndërkombëtare.  Kjo për faktin se bashkimi i njësive të vogla lokale të ujësjellësit në ndërmarrje regjionale ka ndikim pozitiv në (i) ngritjen e efiçencës së këtyre ndërmarrjeve si rezultat i ekonomisë së shkallës, (ii) kompenzimin e mungesës së ekspertizës që është prezente te ndërmarrjet e vogla, (iii) atraktimin e institucioneve financiare ndërkombëtare. Në anën tjetër, legjislacioni  dhe politikat e sektorit të shërbimeve të ujësjellësit janë mjaft konsistente sa i përket strukturës regjionale të kompanive të ujësjellësit. Edhe Ligji i ZRRUM (rregullorja e UNMIK-ut 2004/49 e cila më vonë pas shpalljes së pavarësisë ështe transformu në ligj) edhe Ligji për Ndërmarrje Publike e konfirmojnë këtë strukturë regjionale të Kompanive Rajonale të Ujësjellësit. Poashtu edhe dokumentet tjera si Raporti nga Konferenca për Rolin e Komunave i mbajtur në qershor 2011 ka konfirmu mbështetjen e të gjitha palëve per KRU-te. Për më tepër  Vendimi i Qeverisë në qershor të vitit të kaluar kërkon kthimin e Deçanit dhe Kaçanikut (të cilat janë largu arbirtrarisht nga ndërmarrjet regjionale) në KRU-të përkatëse si dhe integrimin e komunave tjera (komunat e reja dhe komunat me shumicë serbe) në KRU. Ky vendim i Qeverisë fatkeqësisht ka mbetë pa efekte praktike për faktin se nuk është zbatuar. Poashtu edhe disa tentime të Rregullatorit për vendosjen e ligjshmërisë (meqenëse ujësjellësat komunal veprojnë pa licencë) nuk ka qenë e suksesshme.
Prandaj duke i pasur parasysh të gjitha këto dhe me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë afatgjatë të kompanive të ujësjellësit propozohet që të zbatohet në tërësi vendimi i Kryeministrit për Konsolidimin e KRU-ve përmes veprimeve si vijon:
· Ti jipet përgjigje negative kërkesës së komunës së Kaçanikut për themelimin e ndërmarrjes lokale të ujësjellësit.
· Akti nënligjor që përcakton kriteret e themelimit të ndërmarrjeve publike lokale, që do të nxirret nga Qeveria, të përjashtojë mundësinë e krijimit të ndërmarrjeve publike lokale të ujësjellësit dhe kanalizimit me qëllim që të pengohet fragmentarizimi i këtij sektori.
· MZHE, përmes Njësisë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në bashkëpunim Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Zyrën Rregullatore të Ujit dhe Kanalizimit, Këshilltarët e TFU, dhe insitucionet tjera relevante të angazhohet për zbatimin e Vendimit të Qeverisë për Konsolidim.


Diskutimet në këtë pikë të rendit të ditës:
Zëvendës Ministri Koci theksoi se MZHE është duke punuar në hartimin e Udhëzimit Administrativ (UA) për përcaktimin e kritereve sipas të cilave mund të themelohet një ndërmarrje publike lokale. Ky UA duhet të aprovohet nga Qeveria dhe sipas informacioneve të tij, si MZHE ashtu edhe komunat që janë duke u konsultuar për këtë UA janë pajtuar që ndërmarrjet e ujësjellësit të jenë regjionale, pra që themelimi i ndërmarrjeve lokale të mos aplikohet në rastin e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.
Zv. Kryeministrja konstatoi se nuk ka arsye që të hartohet një UA që do të ishte në kundërshtim me Vendimin e Qeverisë, dhe në këtë kontekst e pyeti GK kur pritet të finalizohet UA?
Zv. Ministri Koci tha se realisht pas 2-3 javëve, pra para vitit të ri.
Zv. Kryeministrja kërkoi që MZHE ta shpërndajë draftin e UA tek anëtarët e TFU.
U vendos që:
- MZHE të dërgoj draftin e Udhëzimit Administrativ (UA) që përcakton kriteret e themelimit të ndërmarrjeve publike tek anëtarët e TFU për komente dhe plotësime.
- Të sigurohet se ky UA përjashton mundësinë e krijimit të ndërmarrjeve publike lokale të ujësjellësit dhe kanalizimit me qëllim që të pengohet fragmentarizimi i këtij sektori.
- MZHE, përmes Njësisë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në bashkëpunim Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Zyrën Rregullatore të Ujit dhe Kanalizimit, Këshilltarët e TFU, dhe insitucionet tjera relevante të angazhohet për zbatimin e Vendimit të Qeverisë për Konsolidimin e të gjitha komunave në Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit.