Shënimet dhe Vendimet nga Takimi i Shtatë i Task Forcës së Ujërave (TFU)

Data: 07.06.2012

Pjesëmarrës:

• Bujar Bukoshi, Zëvendëskryeministër, Kryesues i TFU
• Shpëtim Rudi, Zëvendësministër, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
• Ramadan Hasani, Zëvendësministër,  Ministria e Zhvillimit Ekonomik
• Ibrahim Gashi, Zëvendësministër,  Ministria e Punëve të Jashtme
• Basri Musmurati, Zëvendësministër,  Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal
• Markus Baechler, Drejtor, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (SCO)
• Sade Owolabi, DLI, Zyra për Demokraci dhe Qeverisje, USAid
• Baton Begolli, Këshilltar për Politika Ujore (KPA), Task Forca e Ujërave
• Afrim Lajçi, Këshilltar për Ujëra, Task Forca e Ujërave


Vëzhgues:

• Bersant Beka, Këshilltar, Kabineti i zv. Kryeministrit Bukoshi
• Ardiana Efendija-Zhuri, Menaxhere e Programit, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim
• Perihane Ymeri-Ustaibo, Inxhinier/Specialiste për Menaxhim Projektesh, USAid
• Hazir Çadraku, Udhëheqës, Njësia për Politika Ujore, Departamentit i Ujërave, MMPH
• Ramadan Sejdiu, Drejtor, Njësia për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, MZHE

• Mirëseardhje nga Kryesuesi

Zëvendëskryeministri hapi takimin duke shprehur mirëseardhje dhe keqardhje që takimi është shtyrë për disa javë. Pjesëmarrësit u njoftuan se në mbledhjen e Qeverisë së datës 24 prill është miratuar deklarata e prioriteteve të Qeverisë, në të cilën për herë të parë çështja e ujërave është identifikuar si prioritet nën shtyllën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Kjo tani do të reflektohet në kornizën afat-mesme të shpenzimeve për vitin 2013-2015 dhe pritet që Qeveria përfundimisht ta rrit buxhetin në këtë sektor. Zëvendëskryeministri shprehi mirënjohje për punën që është bërë dhe falënderoi tërë ekipin edhe këshilltarët të cilët megjithëse nuk ishin në takime pompoze, bënë që kjo puna të eci. Zëvendëskryeministri prezantoi këshilltarin e ri në TFU, z. Afrim Lajçi, i cili njoftoi shkurtimisht vetën dhe punën e tij.

Zëvendëskryeministri theksoi se në sektorin e ujërave ka lëvizje pozitive sidomos në angazhimet lidhur me problematiken e ujërave të zeza, e që është një proces i rëndë, ende i pa sistematizuar dhe që ka pune për t’u përqendruar në këtë sektor. Sa i përket çështjes të ujërave të zeza Zëvendëskryeministri shprehi mirënjohje të madhe për KfW për impiantin në Prizren, si dhe për interesin e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim dhe JICA për Gjakovën dhe Pejën, e që në këtë mënyrë pellgu i Drinit të Bardhë po kompletohet disi. Lajm tjetër i mirë është miratimi i financimit të fabrikës së ujit në Shkabaj, Prishtinë, e cila u reflektua edhe në shtypin ditor
 
• Pika 2 e rendit të ditës - Ecuria mbi vendimet nga takimi i fundit:

a. Ndalimi i shkarkimit të ujërave të zeza në kanalin e Ibër-Lepencit, dhe
b. Shqyrtimi i sigurisë së digave (nga  Baton Begolli, këshilltar për politika ujore, KPA)

Këshilltari Begolli njoftoi se MZHE ka obliguar N.H. Ibër-Lepenc që ta bëjë regjistrimin e lokacioneve të shkarkimit të ujërave të zeza, përgjatë kanalit. Ky raport i është dërguar MMPH, në afatin e kërkuar. MZHE me këtë ka kryer obligimin e vet. Tani pritet që MMPH, në bashkëveprim me komunat, ta shqyrtojë raportin dhe të merr vendim mbi ndalimin e shkarkimit të ujerave të zeza në kanal.

Lidhur me vendimin tjetër të ndërmarr në takimin e fundit të TFU; u raportua se janë përpiluar detyrat e punës (termat e referencës) mbi këtë mandat. Eksperti i huaj i cili është i licencuar për siguri të digave është përzgjedhur. Meqë në Kosovë nuk kemi ekspert të licencuar për këtë lëmi, eksperti ndërkombëtar do të përzgjedhë bashkëpunëtorin vendor nga lista e ekspertëve që në një mënyrë a tjetre kanë pas përvojë me punë që ndërlidhen me diga. Qëllimi është që njëkohësisht të transferojmë pak dije tek ekspertiza Kosovare. Puna pritet që të fillojë me 16 Korrik. Deri sa digat ligjërisht janë nën kompetencën e MMPH në aspektin e resursit, MZHE është pronare e operatorëve të digave. U kërkua përkrahje nga MZHE që kur konsulentët të nisin punën, të kenë qasje të operatorët meqë digat janë objekte të sigurisë.

Diskutimet në këtë pikë të rendit të ditës:

Zëvendëskryeministri Bukosh theksoi duhet pasur më shumë kujdes dhe angazhim në koordinimet mes . Ai shprehi kënaqësi me angazhimin e Zëvendësministri Koci (MZHE) për punën që është kryer me efektivitet. U kërkua nga MMPH që të zbatohet edhe ndalimi i shkarkimit të ujërave të zeza në kanalin e Ibër-Lepencit.
Lidhur me çështjen e sigurisë së digave, Zëvendëskryeministri mirëpriti ecurinë dhe planin për nisjen e punëve, sidomos duke marr parasysh komponentin e sigurisë, dhe faktin se parandalimi është me kosto ma të vogël sesa dëmi eventual.
• Pika 3 e rendit të ditës - Aprovimi i "Retreat" mbi sektorin e ujërave (nga Baton Begolli, këshilltar për politika ujore, KPA)

Këshilltari Begolli paraqiti propozimin për të mbajtur një ‘Retreat’ (një tërheqje izoluese për vendimmarrje), me cilin rast TFU së bashku me komunitetin e donatorëve do të shqyrtonte dy gjëra: transformimin eventual të TFU-së në një Këshill Ndër-Ministror për Ujëra që parashihet me projektligjin për ujëra (në takimin III të TFU është marr vendim që në të ardhmen TFU të mos mbetet vetëm iniciativë por Qeveria si autoritet kompetent i caktuar me Ligjin e Ujërave të shndërrohet në një Këshill ndër-ministror për ujëra). Ky propozim mbetet akoma draft dhe nuk dihet nëse do të miratohet si i tillë në Kuvend, prapëseprapë do të duhej paraprirë me një propozim të gatshëm. Megjithatë, në këtë ‘Retreat’ çështja kryesore e paraparë për t’u diskutuar dhe më me rëndësi, është dokument mbi Politikat Ujore të Qeverisë. Ky dokument veç është përgatitur dhe i është dorëzuar Zëvendëskryeministrit. Gjatë kësaj (‘retreat’) parashihet që ky dokument të shqyrtohet, të zbërthehet dhe të shihet nëse është i pranueshëm nga të gjithë, për ta proceduar pastaj për aprovim në mbledhje të Qeverisë. Mundësia është që ky takim të përkrahet nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim dhe propozohet që të mbahet diku nga fundi i vitit, të zgjasë një ditë, p.sh. në Pejë apo ku të dëshiron TFU. Ndërkohë, pritet edhe miratimi i ligjit për ujëra.

Diskutimet në këtë pikë të rendit të ditës:

Zëvendëskryeministri Bukoshi shprehi interes për një organizim të tillë dhe njoftoi se nëse nuk ka vërejtje në dokumentin e politikave ujore, pasi të shqyrtohet nga anëtarët tjerë, që nuk do të hezitojë që ta prezantojë në Qeveri.
Zëvendëskryeministri Bukoshi u pajtua që këshilltari Begolli të përgatit një koncept mbi këtë punëtori (‘retreat’), se çfarë do prezantohet, diskutohet dhe çfarë pritet të nxjerrët në fund. Po ashtu, duhet të saktësohet propozohet kush merr pjesë, kostoja, kohëzgjatja dhe çështje tjera administrative.

Zotëri Baechler shprehi interesin nga komuniteti i donatorëve që kjo ‘retreat’ të mbahet, dhe të diskutohet dhe miratohet dokumenti mbi politika ujore por edhe transformimi i TFU-së në Këshillin Ndër-Ministror për Ujëra. Zyra Zvicerane për Bashkëpunim do të ishte shumë e interesuar të financojë këtë organizim, si dhe përkrahjen e transformimit në Këshillin Ndër-Ministror të Ujërave

Zëvendëskryeministri u pajtua me këtë dhe e konsideroi si një qasje pragmatike për të arritur efiçiencë. Siç u tha edhe më herët mbetët të shihet edhe njëherë drafti dhe të vazhdohet më tutje.

U vendos që:

 Task Forca e Ujërave aprovon mbajtjen e ‘retreat’ mbi sektorin e ujërave, pas shqyrtimit të konceptit.
 Këshilltari për Politika Ujore harton konceptin e këtij organizimi.
 Zëvendëskryeministri dhe Zyra Zvicerane për Bashkëpunim qartësojnë lokacionin dhe datën.
 Këshilltari për Politika Ujore organizon ngjarjen, finalizon materialin dhe mban evidencë mbi diskutimet dhe vendimet.
• Pika 4 e rendit të ditës – Aprovimi i mandatit për shqyrtim të përfshirjes së partneritetit publiko-privat në sektorin e ujërave (nga Baton Begolli, këshilltar për politika ujore, KPA)

Këshilltari Begolli njoftoi që një vendim nga takimi II i TFU (22 Dhjetor 2009) ka mbetur i pazbatuar. Vendimi ka të bëjë me shqyrtimin e partneritetit publiko-privat në sektorin e ujërave. Duke marr parasysh kapacitetet e limituara financiare që i ka Kosova dhe zvogëlimi gradual i donacioneve, një vijë e tretë mbetet nevoja për të tërhequr sektorin privat. Vendimi, i pazbatuar, kërkon që të angazhohet një ekspert që do ta analizonte legjislacionin, procedurat administrative për një investitor privat (lejet që kërkohen, etj.) dhe të përpiloj një doracak mbi mundësitë e PPP në sektorin e ujërave.

Diskutimet në këtë pikë të rendit të ditës:

Zëvendëskryeministri tregoi se është diskutuar mjaftë për PPP, p.sh. edhe deri sa ishte Ministër i Shëndetësisë. Përderisa tingëllon mirë, nuk ka përvoja të mjaftueshme në Kosovë, por edhe vullneti mungonte. Zëvendëskryeministri përkrahi konceptin e PPP dhe shprehi se mirëpret partner të cilët kanë shprehur këtë gatishmëri, kanë ato përmasa dhe predispozita, mirëpo paralajmëroi që duhet të thyhen barrierat e administratës ose burokracisë, që më parë kanë qene shumë dekurajuese.

Zëvendësministri Gashi (MPJ) përshëndeti punën e TFU-së dhe njoftoi se MPJ mund të jep një kontribut, nëse ka informacionet e duhura, sepse ka një departament të diplomacisë ekonomike i cili organizon forume jashtë vendit por edhe në Kosove. Në këto forume prezantohen resurset dhe nevojat, dhe bëhet përpjekje për të tërhequr investitorë për fusha të caktuara. Deri tani në këto prezantime, prioritetet dhe politikat zhvillimore nuk e kanë pasur këtë sektor. Zëvendësministri Gashi mirëpriti përfshirjen në ‘Retreat’ si dhe kërkoi që të kenë kopje të dokumenteve dhe këtij doracaku eventual apo një dokument të nevojave që i ka Kosova për gjetjen e investitorëve. Vetëm këtë vit janë gjashtë forume ekonomike në të cilat do të mund të prezantohej edhe nevojat në sektorin e ujërave. P.sh me datën 20 dhe 22 mbahet një forum diplomatik ekonomik Kosovë-Kinë ku do të vijnë 50 investitorë prej Kinës. Prandaj është mirë të dihet cilat janë kërkesat në mënyre që MPJ të jap kontribut.

Zëvendëskryeministri mirëpriti ndihmën nga MPJ dhe çmoi ndërlidhjen e çështjeve.
Përfaqësues i MZHE, Ramadan Sejdiu, me leje të zëvendësministrit Hasani, njoftoi se infrastruktura ligjore është e rregulluar dhe se ekziston Njësia e PPP-së në kuadër të MF, që mbështet nga USAid. Por vërtetë mungon një ciceron, prandaj përkrahu iniciativën për një doracak ku përshkruhen kapacitetet dhe çka na ofrojmë për investitorët.

U vendos që:

Sekretariati i Task Forcës së Ujërave me përkrahje të Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim, angazhon ekspert që do të:
- analizojë legjislacionin për përfshirjen e sektorit privat në industrinë e ujërave, dhe sugjeron plotësimet përkatëse;
- analizojë procedurat administrative për përfshirjen e sektorit privat në industrinë e ujërave, dhe të përgatiten kushtet që promovojnë pjesëmarrjen e sektorit privat në këtë industri; dhe
- përgatit një Doracak për Investime në sektorin e ujit i cili do t’i informonte investitorët potencial për kushtet dhe procedurat e investimeve ujore në Kosovë. 

• Pika 5 e rendit të ditës - Prezantimi i të gjeturave nga mandati "Trendët e investimeve në sektorin e ujërave nga 1999" (prezantim nga Arian Shuku, këshilltar i TFU)
Konsulenti i TFU-së, zotëri Arian Shuku prezantoi të gjeturat nga mandati i përkrahur nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim lidhur me Trendët Investuese Historike në Sektorin e Ujërave në Kosovë (nga 1999-2011). Për përgatitjen e këtij raporti janë kontaktuar institucionet e ndryshme në Kosovë si dhe donatorët që kanë financuar këtë sektor. Gjithsej investime në sektorin e ujërave (përfshirë ujërat e pijes, ujërat e zeza, resurse, etj.) janë 255,77 milion €, nga të cilat ¼ janë nga buxheti i Kosovës (përmes nivelit qendror dhe komunave, duke u nisë nga koha e UNMIK-ut përmes DSHP, pastaj AKM-së). Kjo figurë nuk përfshinë shumë investime nga donatorët tani më joaktiv. Por, edhe institucionet aktuale dhe donatorët aktual në shumë raste nuk kanë ruajtur të dhënat si duhet, e sidomos për projektet e mëhershëm. Vërehet se investimet vendore janë në rritje dhe investimet e huaja në rënie. Megjithatë, donatorët kanë zotuar shumë mjete për periudhën 2012-2014, andaj vija e trendëve do të ngritët. Investimet vendore (kryesisht përmes komunave) janë më të larta në rrjetin e kanalizimit (62%), ndërsa donatorët kanë kontribuar më tepër në ujëra të pijes dhe përkrahje institucionale. Konkluzionet tregojnë se ruajta e të dhënave duhet përmirësuar; Thesari i Kosovës duhet të qartësojë përshkrimin e shpenzimeve (të dhënat në dispozicion janë vetëm nga 2006); databaza e MIE për investimet e huaja do të duhej freskuar rregullisht; Qeveria do të duhej aprovuar një dokument mbi politika ujore që do të drejtonte reformën e sektorit; sektori duhet të ketë një plan investimi që do theksonte prioritetet dhe nevojat; alokimi i buxhetit për sektorin e ujërave duhet të ngritët (tani mbetët shumë i vogël, në 0.1% të buxhetit të Kosovës në krahasim me kërkesat) etj.

Zëvendëskryeministri Bukoshi shprehi në emër të Qeverisë së Kosovës mirënjohjen dhe falënderimin për ndihmat nga donatorët. Nga studimi vërehet se afro çerek miliardë euro është investuar, mirëpo edhe pala Kosovare që në fillim i ka ndihmuar vetvetes dhe nuk ka qenë vetëm lëmoshë. U theksua se të gjithë përfituesit kanë obligim që të arsyetojnë se e meritojnë këtë asistencë e cila gradualisht do të tërhiqet dhe do t’i transferohet mbështetjes së resurseve tona, forcave tona e cila varët edhe nga politikë-bërja që u cekë pikërisht këtu. Mirëpo, në esencë, ne kemi për obligim dhe zotohemi se gjitha këto donacione dhe gjithë kjo asistencë kombëtare do të jetë e implementuar në mënyrë shumë transparente.

• Pika 6 e rendit të ditës - Prezantimi i të gjeturave nga "Studimi i mbulueshmërisë me furnizim me ujë dhe sistem të ujërave të zeza në zonat rurale" (prezantim nga Markus Baechler, Drejtor, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim)

Drejtori i Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim (SCO), zotëri Baechler prezantoi të gjeturat nga studimi mbi mbulushmërinë me sistem të ujit të pijes dhe ujërave të zeza në Kosovë. Për më tepër studimi ka shqyrtuar edhe nevojat teknike dhe financiare për të futur sistemet rurale nën menaxhimin e  kompanive regjionale të ujësjellësve (KRU-të). Studimi është implementuar nga CDI dhe nuk përfshinë komunat veriore në mungesë të qasjes nga ekipi vendor. Sistemet e ujësjellësve janë ndarë në a) dhe b) janë sistemet urbane dhe rurale të menaxhuara nga KRU-të, c) janë sistemet të pa-menaxhuara nga KRU-të (p.sh. Kaçanik, Deçan dhe qytezat tjera), dhe d) janë sisteme jo-operacionale. Të dhënat janë bazuar në regjistrimin e 1991, dhe do të rifreskohen me të dhënat nga regjistrimi i popullsisë të prillit 2011, nga fundi i vitit. Nga studimi vërehet se 76% e popullatës kanë qasje në furnizim me ujë me sitëm të rregullt (100% pjesa urbane dhe 61 % pjesa rurale), ndërsa 65% e popullatës ka qasje në sisteme të kanalizimit. Trajtimi i ujërave të zeza mungon po thuaj tërësisht. Studimi e ka të zbërthyer në detaje gjendjen në zonat rurale për secilën komunë. Nga popullsia e përgjithshme, që kanë qasje në KRU: 66% marrin ujë direkt nga rrjeti publik, 10% nga sisteme tjera dhe 24% nuk kanë qasje në KRU. Kërkesa për investime vlerësohet të jetë 2.3 milion €, për të përfshirë sistemet operacionale por që nuk menaxhohen nga KRU-të, dhe 1.3 milion € nevojiten për të riparuar sistemet e dëmtuara. Prandaj, në tërësi duhen 3.5 milion € për të përmirësuar rrjetin dhe për të arrite që 82% të kenë qasje përmes KRU-ve. Studimi është shumë i rëndësishëm për politikë-bërësit si dhe për donatorët, sepse jap në qartësi lidhur me prioritetet dhe investimet.          

Zëvendëskryeministri falënderoi për prezantimin dhe punën shumë të madhe që është bërë, e që sjell një panoramë jo vetëm për politikë-bërjen por edhe për prezantimin karshi donatorëve.

Përfaqësues i MZHE, zotëri Sejdiu shprehi rezervën e tij në saktësinë e raportit të mëhershëm, me brengë se nën këto investime mund të ketë pasur projekte edhe nga mjedisi apo edhe dyfishime. Kjo meqë sipas informatave me të cilat disponon Ministria del se investimet kapin një shumë nga 100 milion €. Prandaj ky investim i paraqitur do të mund t’i dekurajon investitorët duke menduar se është investuar në sektorin e ujit 255 milion ndërsa rezultatet nuk janë edhe shumë të larta.
Zëvendësministri Hasani po ashtu sugjeroi që të dhënat të verifikohen.
Zëvendëskryeministri theksoi se mënyra më e mirë që të mos vijmë të një dekurajim nga donatorët është që të jemi sa me transparent, dhe të jemi më të vetëdijshëm për defektet tona, p.sh. në evidentim siç u përshkrua nga studimi i zotëri Shukut. Kjo prapë nuk është një e keqe e madhe sepse vet donatorët i kanë informatat e sakta dhe të evidentuara.

Këshilltari Begolli theksoi se personat e përfshirë janë megjithatë të kësaj fushe dhe do të dinin të bënim dallim për projektet e ujit. Të dhëna e paraqitura në këtë raport janë nga institucionet vendore dhe donatorët. Ka shumë të dhëna që nuk janë prezantuar meqë donatorët ose janë jo aktiv tani (p.sh. DFID) ose nuk i kanë ruajtur të dhënat e mëhershme (p.sh USAID). Duke marr parasysh kërkesën në sektorin e ujërave që e tejkalon 1.5 miliardë euro, 255 milion megjithatë mbetët shumë modeste në krahasim me atë sa ka nevojë. Donatorët e kanë mirëpritur këtë raport, e kanë lexuar raportin  dhe të gjithë kanë pasur mundësi ta kundërshtojnë. Me rëndësi, është vërejtur se Qeveria e Kosovës po investon shumë ma shumë se çfarë është paragjykuar. Donatorët e kanë pasur një bindje që Qeveria e Kosovës nuk ka investuar në sektorin e ujërave, ndërsa kjo e ka sjell në pah në aspektin pozitiv atë investim. Po ashtu reflektohet që sektori i ujërave të zeza është përkrahur kryesisht nga Qeveria e Kosovës, sepse komuniteti i donatorëve nuk ka investuar shumë në këtë fushë, deri më tani.

Zëvendëskryeministri Bukoshi theksoi se ky është një takim pune dhe jo takim akademik. Formula është shumë e thjeshtë: ata që i kanë dhënë të hollat i kanë evidencat e veta. E dyta, duhet të shohim që për këto punë të cilat i kemi duhet të marrim përgjegjësi edhe më të mëdha. Duhet që të bëhen politika, në mënyre që të krijohet një bazë, një klimë, një atmosferë që rregullon ambientin p.sh. ujërat e zeza që është një problem shumë i madh dhe nuk duhet pushuar pa e përsëritur. Jemi shumë të hapur dhe në dispozicion, sidomos me aktorët të cilët na kanë ndihmuar që në çdo aspekt. Në çdo moment jemi në dispozicion për të dhënat, për shkëmbim të ideve që u përmenden në këtë takim. Ju faleminderit.