Shënimet dhe Vendimet nga Takimi i Gjashtë i Task Forcës së Ujërave (TFU)

09 nëntor 2011

Pjesëmarrës:

  • Bujar Bukoshi, Zëvendës Kryeministër, Kryesues i TFU
  • Dardan Gashi, Ministër, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
  • Gani Koci, Zëvendës Ministër,  Ministria e Zhvillimit Ekonomik
  • Markus Baechler, Drejtor, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim (SCO)
  • Premtim Islami, Koordinator i Projekteve, KfW
  • Baton Begolli, Këshilltar për Politika Ujore, Task Forca e Ujërave
  • Vëzhgues:
  • Ardiana Efendija-Zhuri, Menaxhere e Programit, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim
  • Vala Prekazi-Miftari, Këshilltare, MAPL
  • Bersant Beka, Këshilltar, Kabineti i zv. Kryeministrit Bukoshi
  • Merita Gashi, Këshilltare, Kabineti i zv. Kryeministrit Bukoshi
  • Besnik Baholli, Këshilltar, MMPH
  • Jetmir Balaj, Këshilltar, MMPH
  • Zëvendëskryeministri hapi takimin duke shprehur mirëseardhje dhe falënderim pjesëmarrësve. 
  • Pika 2.a e rendit të ditës - Raportim në ecurinë mbi vendimet e deritanishme të Task Forcës së Ujërave (nga Baton Begolli, këshilltar për politika ujore, KPA)


Këshilltari Begolli njoftoi se 13 nga 19 vendimet e ndërmarra nga Task Forca janë kryer në tërësi. 2 vendime janë në procedurë: kërkesa për t’u anëtarësuar në Komisionin Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Lumit Danub që do na ndihmonte në shkëmbim të përvojave në administrimin e pellgjeve ujore dhe do na hapte mundësi për financim sidomos për ujërat e zeza në pellgjet Ibër dhe Morava e Binçës.

Këshilltari Begolli është në diskutim me Ministrin Hoxhaj (MPJ) lidhur me këtë. Vendimi tjetër që është në procedurë është shqyrtimi i kushteve dhe mundësive për pjesëmarrje të sektorit privat në industrinë e ujërave. Task Forcës iu kërkua leja për të angazhuar përkrahjen e komunitetit të donatorëve për zbatimin e këtij vendimi por kjo nuk u adresua më tepër.

Vendimet tjera (5) janë pezulluar meqë mandati i këshilltarit përgjegjës ka përfunduar.

•    Pika 2.b e rendit të ditës - Raportim mbi aktivitet e Sekretariatit të Task Forcës së Ujërave (nga Baton Begolli, këshilltar për politika ujore, KPA)
Këshilltari Begolli raportoi mbi ecurinë e punëve të Sekretariat të Task Forcës së Ujërave që për momentin përbëhet vetëm nga ai:


Aktivitetet e kompletuara


1.    Bilanci i ujërave sipërfaqësore.
2.    Kornizat menaxhuese për thatësira & kontroll të përmbytjeve.
3.    Konferencat ujore.
4.    Zhvillimi akademik: plan-program ‘master’ në shkenca/menaxhim mjedisor.
5.    Përcaktimi i rolit të komunave në sektorin e ujësjellësve.
6.    Platformat koordinuese: institucionale, donatorë dhe zbatues.
7.    Vendimi mbi konsolidimin e sektorit të shërbimeve me ujë.
8.    Lista e projekteve prioritare të ujërave (MMPH, MIE & TFU).

Aktivitet në përfundim

1.    Përkrahje legjislative: ligji për ujëra, Ndërmarrje Publike, etj.
2.    Miratimi i dokumentit mbi politika ujore të Qeverisë.
3.    Trendët investuese në sektorin e ujërave nga 1999.
4.    Përkrahje në themelimin e Njësive të Rajoneve të Pellgjeve Lumore.
5.    Përgatitja për ratifikimin e konventave ndërkombëtare.
6.    Zbatimi i marrëveshjeve të performancës.
7.    Zbatimi praktik i konsolidimit të KRU-ve.
8.    Mbështetje sistemit gjyqësor në sektorin e ujërave.
9.    Përmirësimi i arkëtimit të KRU-ve
10.    Integrimi i sistemeve rurale

Diskutimet në këtë pikë të rendit të ditës:

Zëvendëskryeministri Bukoshi çmoi punën e bërë por theksoi se mbetet akoma shumë për t’u bërë në mënyrë që sektori i ujërave të arrijë në nivel të pëlqyeshëm. Me kërkesë të Kryesuesit, pikat në vijim u diskutuan më hollësisht.

Bilanci i ujërave - Këshilltari Begolli elaboroi mbi punën e bërë: regjistrimi i gjitha ujerave sipërfaqësore në softuerin WEAP (Water Evaluation and Planning) për katër pellgjet lumore me ndihmën e komunitetit të donatorëve. Tani MMPH ka një mjet të fuqishëm për të planifikuar shfrytëzimin e ujërave sipërfaqësore. Sfidë mbetet mos përfshirja e ujërave nëntokësore meqë Kosova nuk ka rrjet për monitorimin e cilësisë dhe sasisë së tyre.

  • Ministri Gashi dhe SCO u akorduan të shqyrtojnë mundësinë e zhvillimit të rrjetit monitorues për ujëra nëntokësore.


Veprimi ndër-institucional - Zëvendëskryeministri vlerësoi se Task Forca po shërben si promotor i një veprimi ndër-institucional. Task Forca pritet të shkrihet në strukturë permanente, Këshillin ndër-Ministror për Ujëra, pasi që të miratohet ligji i ri për ujëra.

Ngritja e arkëtimit - Zëvendëskryeministri theksoi se raportet e progresit në vazhdimësi ngrenë këtë çështje, si dhe vlerësoi se duhet t arrihet në nivel të kënaqshëm për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm financiar në këtë sektor. Zëvendësministri Koci njoftoi se janë në fazën e amendamentimit të ligjit për ndërmarrje publike dhe theksoi se ka nevojë për një bashkërendim me komunat në këtë çështje. Kompanitë duhen të mbetet regjionale dhe mos të shpërbëhen dhe së bashku me komunat duhen të gjinden modalitete për të përkrahur arkëtimin.

Politika Ujore - Çështja e kohës së përgatitjes së dokumentit për politika ujore, para apo pas ligjit apo strategjisë së ujërave u diskutua. Këshilltari Begolli sqaroi se Task Forca ka përgatitur dokumentin e politikave mbi sektorin e ujërave që do të jap një kornizë mbi veprimet e Qeverisë në një periudhë 10 vjeçare. Këto mandej shërbejnë si udhë-rrëfim mbi zhvillimin legjislativ të mëtejshëm dhe veprimin politik të Qeverisë në këtë sektor.

•    Pika 3 e rendit të ditës - Ndalimi i shkarkimit të ujërave të zeza në kanalin Ibër-Lepenc (nga Baton Begolli, këshilltar për politika ujore, KPA)
Këshilltari Begolli i njoftoi anëtarët e Task Forcës së Ujërave për gjendjen në kanalin e Ibrit, humbjet e mëdha (mbi 50%) dhe shkarkimin e ujërave të zeza nga vendbanimet përgjatë kanalit. Kanali është me rëndësi socio-ekonomike meqë planifikohet të furnizojë ujë për termocentralin e ri, për qytetin e Vushtrrisë dhe Prishtinës. Cilësia e ujit në burim është e mirë por ndotet në kanal. Këshilltari njoftoi se KfW ka shprehur gatishmëri me përkrahë në të ardhmen një projekt të tillë. Zotëri Islami nga KfW konfirmoi këtë dhe raportoi për një studim të mëhershëm që KfW ka bërë dhe rekomandimet që ka propozuar për ndalimin e ndotjes.

U vendos që:

  • Ministria e Zhvillimit Ekonomik të obligojë NH Ibër-Lepenc, që deri më një datë të caktuar (nga MZHE) të kryej incizimin e gjitha lokacioneve që shkarkojnë ujëra të zeza në kanal dhe t’ia paraqes raportin Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
  • Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të shqyrton raportin dhe përgatit një vendim për Qeverinë për të ndaluar shkarkimin e ujërave të zeza në kanal.
  • Mundësia e bashkëveprimit me KfW të shqyrtohet më tepër pas raportit nga NH Ibër-Lepenc.

•    Pika 4 e rendit të ditës – Shqyrtimi i Sigurisë së Digave(nga Baton Begolli, këshilltar për politika ujore, KPA)
Këshilltari Begolli i njoftoi anëtarët e Task Forcës së Ujërave që shqyrtimi i fundit i sigurisë së digave ishte kryer në 2003 dhe se asnjë veprim nuk ishte ndërmarr për përmirësimin e gjendjes. Këshilltari njoftoi se SCO ka shprehur gatishmëri që të përkrahë këtë vendim. Ministri Gashi vlerësoi se ka kaluar kohë e gjatë dhe u pajtua në parim që një gjë e tillë duhet të bëhet, por së pari duhet diskutuar më hollësisht me Task Forcën dhe SCO për hapat e mëtejmë.

U vendos që:

  • Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, së bashku me Këshilltarin e Task Forcës dhe SCO të shqyrtojë hapat e mëtejmë e lidhur me shqyrtimin e sigurisë së digave.
  • Orientimisht, raporti mbi Shqyrtimin e Sigurisë së Digave do të përfshijë 5 digat e mëdha në Kosovës, dhe do të mbulon:

-    Rrezikun e përmbytjeve
-    Rrezikun sizmik
-    Stabilitetin
-    Masat përmirësuese të nevojshme në interes të sigurisë dhe mirëmbajtjes rutinore. 

•    Pika 5 e rendit të ditës - Diskutim për vendimin mbi ndalimin e eksploatimit të inerteve në lumenjtë dhe rehabilitimi i tyre
Ministri Gashi elaboroi vendimin e ndërmarr në takimin e Qeverisë me datë 02 nëntor 2011 mbi ndalimin e eksploatimit të inerteve nga lumenjtë e Kosovës. Ministria ka regjistruar mbi 100 operator dhe ka prezantuar mbi 30 padi të cilat tani janë në procedurë. Dëmtimi më i madh është vlerësuar në lumin e Drinit të Bardhë. Ministri kërkoi ndihmë financiare nga komuniteti i donatorëve për rehabilitimin e lumenjve.

Zëvendësministri Koci theksoi se me ligjin për minerale dhe miniera eksploatuesit janë të obliguar të kthejnë gjendjen e mëparshëm pas operimeve të tyre dhe njoftoi se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale do të duhej të përcjellë këtë gjatë procedurë së licencimit. Njëkohësisht zv. Ministri Koci kujtoi se afati i vendimit ishte tri vjeçar andaj do të duhej të dëshmohej se janë marr masa adekuate në këtë drejtim dhe të mos minohej rëndësia e vendimit.

Zotëri Islami njoftoi se në bashkëpunim me Këshilltarin Begolli dhe Sekretarin e Përgjithshëm të MMPH-së kanë përgatitur një kërkesë për rehabilitimin e lumenjve të Sitnicës dhe Drinit të Bardhë por nuk është marr akoma asnjë përgjigje. Z. Islami theksoi se kërkohet një elaborim me i hollësishëm nga Ministria.

Zonja Efendija-Zhurri propozoi që të paraqes këtë kërkesë në takimin e ardhshëm të donatorëve, që do të mbahet në fund të nëntorit. 
Kryesuesi, Zëvendëskryeministri Bukoshi theksoi se Task Forca do të duhej të dëshmohej se arrin të trajtojë çështje të mëdha.

•    Rendi i ditës dhe data e takimit të ardhshëm të vendoset me Zëvendëskryeministrin dhe të njoftohen anëtarët e Task Forcës së Ujërave