Shënimet dhe Vendimet nga Takimi i Tretë i Task Forcës së Ujërave (TFU)

24 mars 2010

Pjesëmarrës:

- Mahir Yagcilar, Zëvendës Kryesues i TFU, Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
- Raif Elezi, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal
- Menderes Ibra, Këshilltar Politik, Ministria e Ekonomisë dhe Financave (MEF)
- Ramadan Sejdiu, Udhëheqës i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, MEF
- Guido Beltrani, Zëvendës Drejtor, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim
- Ardiana Efendija-Zhuri, Zyrtare e Programit, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim
- Perihane Ymeri, Specialiste e Menaxhimit te Projekteve, USAID
- Greg Olson, Këshilltar për Sektorin Privat, USAID
- Driton Qehaja, Koordinator i Task Forcës
- Baton Begolli, Këshilltar për Politika Ujore, Task Forca e Ujërave
- Skënder Agolli, Këshilltar për Ndërmarrje Ujore, Task Forca e Ujërave

Zëvendës kryesuesi i TFU-së, Ministri Yagcilar hapi takimin në mungesë të Kryesuesit, Zëvendës Kryeministri Kuqi, duke njoftuar mbi manifestimin e ditës ndërkombëtare të ujërave me 22 mars në Prizren. Ministri njoftoi pjesëmarrësit mbi nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit në mes të USAID dhe Kompanive Rajonale të Ujësjellësve të Prizrenit dhe Pejës. Më pas, ai iu dha fjalën këshilltarëve për të prezantuar mbi pikat e rendit të ditës.

Prezantimet mbi pikën e dytë të rendit të ditës – Raportim në ecurinë mbi vendimet e deritanishme të Task Forcës (nga Baton Begolli, këshilltar për politika ujore)
Këshilltari Begolli njoftoi se në të gjitha 10 vendimet e ndërmarra nga Task Forca ka ecuri, si në vijim:

1. Përmbajtja e Strategjisë së Ujërave: MMPH, ECLO dhe TFU të krijojnë një grup teknik për të përfunduar këtë obligim.
2. Konsolidimi i Ndërmarrjeve Publike të ujërave: Është përgatitur draft vendimi i cili po shqyrtohet nga Sekretaria Koordinuese e Qeverisë.
3. KNMLD (ICPDR): Janë nominuar ekspertët për grupet teknike nga MMPH; Ministria e Punëve të Jashtme po shqyrton mundësinë e përfaqësimit të Kosovës.
4. Konferenca e Ujërave: Konferenca e Ujërave 2009 është mbajtur dhe rekomandimet janë prezantuar për takimin 2 të TFU-së. Së shpejti do të fillojnë negociatat për konferencën 2010.
5. Korniza ligjore: TFU është në proces të angazhimit të ekspertëve ligjor për të zbatuar këtë vendim.
6. Bashkëpunimi ndër-institucional: TFU ka angazhuar ekspert për vlerësim institucional për të zbatuar këtë vendim.
7. Plani investiv: TFU dhe AKZhIE kanë përkrahur MMPH-në në përgatitjen e një plani afat-shkurtë / afatmesëm. Banka Botërore është duke shqyrtuar një plan investiv për Ibër. ECLO do të pason me Strategjinë e Ujërave.
8. Involvimi i sektorit privat: Zv.KM ka kërkuar nga MEF të përcjell këtë. MEF është në proces.
9. Zhvillimi i kapaciteteve: Zv.KM ka dërguar letër MMPH-së për të përcjellë këtë. Nuk ka informata mbi progres.
10. Implementimi i Marrëveshjes për Performancë: MEF/NjPM të NP është në proces të finalizimit të marrëveshjes për performancë.

Diskutimet në këtë pikë të rendit të ditës:

Vendimi 1 - Këshilltari i MEF-it shprehi brengën se vendimi i parë mund të mos ketë qenë i drejtë duke u nisë nga përvojat dhe procedura në përpilimin e strategjisë. Këshilltari Begolli njoftoi se vendimi ka rrjedhë si obligim ligjor i MMPH-së për të udhëhequr procesin, kërkesës së donatorëve rreth caktimit të kornizës së strategjisë se sa larg dhe cilat segment të sektori të ujërave do t’i përfshijë si dhe kjo vendosë hapin e parë në përpilim e strategjisë dhe nuk zëvendëson atë. Zëvendës kryesuesi i TFU-së, Ministri Yagcilar gjithashtu theksoi se strategjia është obligim ligjor. Me përkrahje të donatorëve (BB, ECLO), MMPH do t’i formojë të gjitha komisionet e nevojshme me qëllim të përpilimit të strategjisë. Ministri njoftoi se nuk ka kuadro të nevojshme që ta përpilojnë këtë strategji vet, prandaj në bashkëpunim me MAPL, MEF-in, MEM-in, etj, do të formohen grupet punuese.

Vendimi 2 – Zotëri Beltrani përkrahu vendimin e propozuar dhe shprehi interesin që kjo të miratohet sa më shpejtë, duke u nisë nga implikimet që ndarja e Deçanit dhe Kaçanikut kanë pas rreth investimeve në këto komuna. Propozimi i këtij vendimi ka gëzuar komunitetin e donatorëve, të cilët e mbështetin fuqimisht. Komuniteti i donatorëve nuk do të angazhohet në komunat që nuk zbatojnë ligjin. Po ashtu, ky vendim do të ndihmonte në konsolidimin e komunave të reja të dala nga decentralizimi me kompanitë rajonale të ujësjellësve. Kjo është me rëndësi sepse donatorët dëshirojnë të investojnë në këto komuna. Zotëri Sejdiu nga MEF, zotëri Qehaja dhe zëvendës Ministri Elezi të gjithë dhanë mbështetjen për këtë vendim. Zëvendës kryesuesi i TFU-së, Ministri Yagcilar po ashtu përkrahu këtë vendim dhe kërkoi që të shpejtohet miratimi i vendimit.
- Prezantimet mbi pikën e tretë të rendit të ditës – Ndryshime organizative në Task Forcën e Ujërave (nga Baton Begolli, këshilltar për politika ujore)

3.1 Ri-emërimi i Zyrës së Përkrahjes së Task Forcës në Sekretariat të Task Forcës
Pjesëmarrësit u njoftuan që emërimi i deritanishëm i zyrës për përkrahje të Task Forcës së Ujërave ka krijuar konfuzion tek palët me interes të sektorit të ujërave në lidhje me mandatin dhe detyrat e këshilltarëve.

U propozua dhe vendos që:

Zyra e këshilltarëve të Task Forcës të emërohet si Sekretariat i Task Forcës së Ujërave, pa implikime buxhetore shtesë.

3.2 Krijimi i një portali në faqen e Zyrës së Kryeministrit

3.3 Shpërndarja e vendimeve të Task Forcës së Ujërave
Pjesëmarrësit u njoftuan që nga takimet me palët me interes është identifikuar mungesa e njohurisë mbi punët e Task Forcës së Ujërave.

U propozua dhe u vendosë që:

- Të krijohet një portal në ueb-faqen e zyrës së Kryeministrit për Task Forcën e Ujërave
- Të shpërndahen vendimet e TFU-së gjithë palëve me interes në sektorin e ujërave.
- Prezantimet mbi pikën e katërt të rendit të ditës - Prezantimi dhe vendim-marrja në rekomandimet e Punëtorisë mbi përmirësimin e arkëtimit të ujësjellësve (prezantim nga Skënder Agolli, këshilltar për ndërmarrje ujore)
Pjesëmarrësit u njoftuan mbi ecurinë e punëtorisë për përmirësimin e arkëtimit të ujësjellësve të mbajtur me 12 mars 2010. Propozimet e paraqitura në takim ishin në bazë të konkluzioneve të dala nga kjo punëtori.

4.1 Hartimi i politikës për rastet sociale
Pjesëmarrësit në takim u njoftuan me vështirësitë me të cilat ballafaqohen Kompanitë Rajonale të Ujësjellësve (KRU) si rezultat i mungesës së një politike për rastet sociale. Hartimi i një politike të tille do ta përcaktonte kornizën në bazë të së cilës do të gjendej një zgjidhje afatgjate në lidhje me mospagesën e faturave nga kjo kategori e konsumatorëve. Për shkak të arsyes së lartpërmendur, KRU-të nuk arrin të inkasojnë 7% të mjeteve financiare dhe kjo ndikon drejtpërsëdrejti në qëndrueshmërinë financiare të këtyre kompanive. Kjo iniciativë në parim u aprovua nga pjesëmarrësit, mirëpo të gjithë u dakorduan se para vendimit final në lidhje me këtë çështje duhet të bëhet një analizë paraprake.

U vendos që:

Këshilltari për Ndërmarrje Ujore me përkrahjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të përgatit analizën e nevojshme deri në takimin e radhës së task forcës së ujërave.

4.2 Subvencionimi i KRU-ve nga ana e qeverisë, në emër të borxhit të akumuluar për vitin 2009, për pagesën e faturave të ujit nga rastet sociale
Pjesëmarrësit u informuan në lidhje me konkluzionin e dalur nga punëtoria, në të cilën i rekomandohet TFU-së që të marrë vendim me të cilin do të mundësohej që gjatë rishikimit të buxhetit të vitit 2010 të përfshihet edhe subvencionimi i KRU-ve në emër të faturave të papaguara të vitit 2009 nga ana e rasteve sociale (vlera e përafërt 1,5 Milion €). Ministria e Ekonomisë dhe Financave e ka përkrahur këtë iniciativë, mirëpo pas diskutimeve të bëra është ardhur në konkludim se paraprakisht duhet të kompletohen në tërësi analiza shtesë mbi subvencionim të rasteve sociale dhe performancës financiare të KRU-ve.

U vendos që:

Këshilltari për Ndërmarrje Ujore me përkrahjen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të kompletojë listën e konsumatorëve të kategorisë së rasteve sociale dhe t’i dorëzojë analizën e duhur për vendim të Task Forcës së Ujërave.

Çështje tjera:

- Zëvendës kryesuesi i TFU-së, Ministri Yagcilar kërkoi që të shqyrtohet mundësia e institucionalizimit të Task Forcës së Ujërave duke futur në draft ligjin e ujërave një nen që do të themelonte Këshillin Ndër-ministror të Ujërave. Ky këshill do të ishte vazhdim i Task Forcës së Ujërave dhe do të udhëhiqej nga Kryeministri.
- Përfaqësuesit e USAID e vlerësuan bashkëpunimin e Qeverisë në sektorin e ujërave. Ata përkrahin angazhimin në monitorimin e performancës së KRU-ve dhe shprehën besimin e tyre se menaxhmenti aktual i KRU-ve do të vazhdon të bashkëpunojë me donatorët (KFW, ECLO dhe USAID) në zbatimin e projekteve aktuale. Për më tepër, ata shprehën dëshirën e tyre që çdo zhvillimi i ri që mund të ndikojë sektorin do të adresohet në mënyrën më të hapur dhe transparent, në mënyrë që projektet e donatorëve të vazhdojnë të zbatohen si deri më tani, në frymën e koordinimit dhe bashkëpunimit reciprok. Në këtë çështje, zotëri Sejdiu njoftoi se procesi bazohet në ligjin mbi ndërmarrjet publike dhe në bazë të vlerësimit të performancës, si dhe njoftoi se procedurat janë transparente.
- Sistemet rurale – Përfaqësuesi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave propozoi hartimin e një politike për skemat rurale në Kosovë me ç’rast do të bëhet identifikimi i fshatrave në të cilat ka apo nuk ka ujësjellës, identifikimi i burimeve, si dhe do të propozohen modalitet për funksionalizimin e tyre. Zëvendës kryesuesi i TFU-së z. Mahir Yagcilar u pajtua me propozimin e bërë, por propozoi që në proces të kyçet edhe MAPL. Po ashtu edhe përfaqësuesi i SCO-së z. Beltrani informoi se ka analiza të bëra nga programet e tyre dhe shprehi gatishmëri që me i nda këto informata.

U vendos që:

Këshilltari për Ndërmarrje Ujore me përkrahjen e MEF, KRU-ve, MAPL dhe MMPH, do të mbledhë të dhënat, të analizojë gjendjen dhe të sjellë një propozim.

- Takimi i ardhshëm: fundi i muajit Maj 2010.